BARDHYL ZAIMI THE PROLIFIC JOURNALIST/WRITER FROM TETOVO
BIOGRAFIA
Bardhyl Zaimi është i lindur në vitin1970, në f. Sllatinë të Tetovës. Mbi 20 vite ka punuar si gazetar dhe redaktor i kulturës në media të ndryshme, të shtypura dhe televizive. Ka qenë editor i dy gazetave javore në gjuhën shqipe “Epoka” dhe “Nacional” dhe i revistës mujore për kulturë “Prokultura”. Ka bashkëpunuar me shumë revista kulturore, ndërsa ka qenë edhe kryeredaktor i TV nacionale “ TV-Alb”.Krijimtaria tij letrare përfshin një periudhë gati mbi 25 vjeçare. Është botuar në revista të ndryshme kulturore dhe letrare në vend dhe jashtë vendit. Në vitin 2004 ka botuar librin e tij të parë me ese të titulluar “ Fuga e fjalëve”, ndërsa në vitin 2008 ka botuar librin e tij të dytë me ese “ Violinat e vjeshtës” Në vitin 2017 ka botuar librin e tij me poezi dhe tregime të titulluar “ Dorëshkrime prej ajri”. Gjithashtu në vitin 2018 ka botuar librin studimor “ Paradigma e kritikës së Kutelit”. Në vitin 2020 ka botuar librin me ese “Diskurse të pambaruara”, ndërsa në vitin 2021 ka botuar librin me ese “Britma pa zë”.
NATË
PREJ LETRASH
Zërat i vinin si nga një radio e vjetër që
nuk arrin të kapë deri në fund frekuencat. Ngjanin me një kor të madh shpendësh
që fluturojnë secili në punë të vet. Nuk mund të paqtohej me zërat, sepse e
xiglonin si një prekje e harruar që po ringjallej me aq qesëndi. I dukej se
mund t‘i prekë zërat, se kishin formë, se kishin gjithçka si më parë.
Brenda në dhomë shkëlqente vetmia njësoj
si tavolina prej druri mbi të cilën qëndronte një stivë letrash. Në secilën
prej tyre kishte nga një gjysmë fjalie të shkruar. Asnjëherë nuk kishte mundur
të thotë me tepër se kaq për atë. Ajo ishte një gjysmëfjali, një braktisje e
qëllimshme dhe e detyrueshme njëkohësisht. Sa herë që mendonte për të ishte
gjysmë, gjysmëngërç e gjysmëpasion, gjysmëdehje e gjysmëharresë.
Tani kur po dëgjonte ato kore zërash e
shquante gjysmëpamjen e saj dhe zërin e përgjysmuar. Asnjëherë nuk kishte
mundur ta kujtonte të plotë sepse një forcë misterioze ia përgjysmonte.
Si çdo herë nuk mund të duronte që ta
rrokë deri në fund atë. Marramendja gjithnjë ngadhënjente mbi këmbënguljen për
ta sjellë të plotë në kujtesë. Hapi derën dhe hyri në natë. Një gjysmëzë po e
rrëqethte thellë e më thellë. I njëjtësuar me natën lozonjare ai po vështronte
letrat mbi tavolinë të cilat nuk krijonin asnjë grimcë prej saj. Natë dhe
letra. Si gjithmonë beteja ishte e pafundme...
Sytë si dy pisha të zjarrtë i rrotullonte
me nervozë lloji, por një pështjellim i brendshëm e degdiste në do përmallime
të pa-kuptueshme. Tashme e kishte të qartë se nuk mund të ishte një ujk, por
diçka më pak ose më shumë se kaq.
Herë - herë bënte një qark të zjarrtë me
dhëmbët sa për të pohuar vetveten, por sakaq mblidhej kruspull me një dhimbje
të hollë dhe të patrajtë në bark. Ngadalë vuri këmbët në një kep të thepisur
buzë një gremine dhe vetvetishëm hungëriu gjithë vetminë që kishte përbrenda.
Ndjehej bosh dhe kishte uri vrastare.
Poshtë në fshat, nën dritën e zbehtë të
elektrikut, dukej një siluetë gruaje. Ajo mbyllte dritaret me shikim nga mali
dhe rregullonte gjoksin nën këmishën e natës. E ndjente në trup gjithë freskinë
e malit dhe ëndërronte ëmbël putra vetmitare të mbrujtura me dritë hëne.
E gjithë pamja dukej si një pikture
aksidentale e shkëputur nga natyra. Njerëzit pa keqkuptime e quanin pasionin.
GRUA
PREJ TYMI
Bota përjashta i dukej si një dashnore e
harruar së cilës ia ruan në kujtesë vetëm zërin e ulet dhe të qetë të dorëzimit.
E shtrëngoi në dorë këmishën dhe sikur dëshironte të shtrydhë nga ajo gjithë
piklat e padukshme të lotëve të ditës. Vuri orën e dorës mbi komodinë dhe
shikoi vëngër akrepat që lëviznin të acaruar në kundërshtim me ngadalësinë e
tij. Afroi taketuken pranë dhe ndezi cigaren. E mori thellë tymin dhe sikur
donte tërë natën e kuqërremtë ta thithe brenda. Iu kujtua zëri i butë i saj që
i thoshte vazhdimisht se shumë cigare pi. Filloi ngadalëz ta nxjerrë tymin
jashtë duke bërë figura të llojllojshme. Dukej se në atë gjysmë errësirë të
kuqërremtë përpiqej ta krijojë atë para se ta humbte betejën me akrepat që
kërkonin sa më parë ta zgjojnë botën matanë grilave të natës.
Comments
Post a Comment