BARDHYL ZAIMI REVIEWED POEMS OF SITI RUQAIYAH HASHIM IN ALBANIAN. FALIMENDERIT!
BIOGRAFIA
Bardhyl Zaimi është i lindur në vitin1970, në f. Sllatinë të Tetovës. Mbi 20 vite ka punuar si gazetar dhe redaktor i kulturës në media të ndryshme, të shtypura dhe televizive. Ka qenë editor i dy gazetave javore në gjuhën shqipe “Epoka” dhe “Nacional” dhe i revistës mujore për kulturë “Prokultura”. Ka bashkëpunuar me shumë revista kulturore, ndërsa ka qenë edhe kryeredaktor i TV nacionale “ TV-Alb”.Krijimtaria tij letrare përfshin një periudhë gati mbi 25 vjeçare. Është botuar në revista të ndryshme kulturore dhe letrare në vend dhe jashtë vendit. Në vitin 2004 ka botuar librin e tij të parë me ese të titulluar “ Fuga e fjalëve”, ndërsa në vitin 2008 ka botuar librin e tij të dytë me ese “ Violinat e vjeshtës” Në vitin 2017 ka botuar librin e tij me poezi dhe tregime të titulluar “ Dorëshkrime prej ajri”. Gjithashtu në vitin 2018 ka botuar librin studimor “ Paradigma e kritikës së Kutelit”. Në vitin 2020 ka botuar librin me ese “Diskurse të pambaruara”, ndërsa në vitin 2021 ka botuar librin me ese “Britma pa zë”.
POEZIA SI NJË LUTJE E PËRSHPIRTSHME
Poezia është lutje e përshpirtshme, e pafundme e qenësisë sonë, një përndritje e brendshme që na bën ta rrokim thellësisht jetën në dimensionet më sublime. Secili nga ne
ka brenda vetes një muzikë kozmike, të cilën përpiqet ta transkriptojë në fjalë, në ndjeshmëri, në një univers poetik autentik.
Mes shumë definimeve teorike për poezinë, mbase ajo çfarë thotë Rumi për poezinë qëndron më pranë të vërtetës " Poezitë janë shënime të përafërta të muzikës që kemi
përbrenda". Një poet në fakt nuk bën asgjë tjetër përveç që mban "shënime" gjersa përgjon këtë muzikë të përshpirtshme brenda qenësisë së vetë që dëshiron të shkëputet si
univers i veçantë nga paanësia e universit të pafundëm të ekzistencës njerëzore.
Dhe këto "shënime" vijnë përmes fjalës, përmes gjuhës që siç thotë Hajdegeri është “shtëpia e qenies”. Dhe fjalët mbarsen nga vëzhgime dhe kuptime të paqta, nga
ndjeshmëri që shpërthejnë nga situata të rëndomta, por që marrin fuqi përmes shpirtit të poetit, i cili zbret thellë në të pathënën njerëzore, në atë që dëshiron të
shfaqet si botë dhe përjetim i momenteve të caktuara.
Poezia e Rokiah Hashim ka pikërisht këto tonalitete të fjalës, ka këtë rëndomësi magjike që shpërthen në një art poetik të përveçëm dhe universal njëkohësisht. Është
një
poetikë që vjen ngadalë dhe ravijëzohet nëpërmjet momenteve të përndritura që ngjizen si një lutje e përshpirtshme për njerëzit, për kujtesën, për atë
vogëlushe që kur të ritet duhet të jetë " një grua e bukur, inteligjente dhe e mirë" ashtu siç e kumtonin " Fjalët e gjyshes". Një poezi që e trazon kujtesën dhe që
lëshohet prajshëm në ato momente fëmijërie që vijnë si dashuri, si mesazhe, si dritë për të kuptuar realitetin tonë të komplikuar, në këtë rast realitetin e të qenit
grua.
Sharl Bodler thotë se “ i vetmi ton legjitim i poezisë është melankolia”. Pikërisht me një melankoli mungese që shkëlqen dhe një vetmie nganjëherë supreme mbruhet poezia
e Rokiah. Ajo vjen e thjeshtë si një rrëfim familjar, por duke reflektuar gjendje universale njerëzore dhe ndjeshmëri thellësisht humane. Kjo lehtësisht mund
të vërehet në vargjet e poezisë “Duke njohur vëllanë”:
...Që ai një boshllëk të pashpjegueshëm kish lënë
Dhe që ne na merrte aq shumë malli për të
Se thoshim
Ah sikur të ishte këtu...
Pikërisht kjo ndjesi e rëndomtë ngritët në art të mirëfilltë, në një poetike thellësisht të përveçme që vjen si një lutje, një lutje për arratitë që e bëjnë subjektin
poetik të klith: “një grusht rërash marr me vete”, sikundër mund të përjetohet në poezinë “ Rërat e Sri Lavender”. Sigurisht këto arrati ontologjike kanë përbrenda
dëshirën e kthimit si të Odiseut, një metaforë e vendlindjes, një metaforë e “qiellit” që “ merret edhe në lutje”.
Poezia për më tepër është trandje ontologjike, një betejë e shpirtit me përkohësinë, Pikërisht në këto partitura të përjetësisë vendoset subjekti lirik,
gjithnjë nëpërmjet dashurisë si një forcë që mban gjallë ekuilibrat e universit. Afshet e dikurshme, ajo ndjeshmëri supreme dashurie e sinqertë vijnë si valë këngëtimi edhe në
këtë kohë për të përkujtuar momentet dhe për të stampuar një mrekulli në kohën e ekzistenciale, në kohën e dashurisë, siç shfaqet në vargjet:
...Oh kohë
Të lutem ndalo!
Është tepër e bukur...
Poezia e Rokiah Hashim vjen spontanisht përmes ndjeshmërive thellësisht njerëzore, vjen si një lutje e përshpirtshme që mbrun raporte shenjtërish familjare. E tillë
është edhe poezia “Faleminderit Zoti im”, që shpërfaq tone vetmie, por edhe përgjërimi për zërat që kanë kuptimin e jetës, kanë kuptimin e ekzistencës njerëzore. Janë
vargje që artikulojnë njerëzisht një ndjenjë të jashtëzakon
shme amësie:
...Oh Zot,
lumturia ime
ka arritur kulmin sot
se im bir më telefonoi
e pyeti për mua dhe shëndetin tim...
Poezia e Rokiah merr edhe tone rebelimi ndaj padrejtësive, duke denoncuar me forcën e shpirtit çrregullimet që e bëjnë këtë botë të vrazhdë dhe të kontrolluar nga
njerëz të korruptuar. E tillë është poezia “A e dini?”, e cila është një klithje ndaj “elitave” politike që mashtrojnë dhe abuzojnë me opinionin me njerëzit:
...Ai është i zënë duke i treguar me gisht njerëzit e tjerë, në mënyrë që korruptimet dhe abuzimet e tij të mos përfliten?...
Përgjithësisht poezia e Rokiah është një shkreptimë e largët që vjen nga hemisferat e përmallimit njerëzor, nga deti i paanshëm i urtësisë, dashurisë,
familjaritetit
miqësisë, gjërave të rëndomta që formësohen në poetikë sublime. Kjo poezi është një lutje për mungesat, për shpirtin njerëzor, për botën e
magjishme të kujtesës, të gjësendeve që marrin kuptime metaforike në laboratorin krijues dhe shfaqen si imazhe, piktura nga galeria e brendshme e subjektit poetik.
Kjo poezi është një muzikë e universi të brendshëm që vjen dhe formësohet si botë e veçantë poetike përmes vargjeve dhe fjalëve që e trazojnë kujtesën e brendshme të
subjektit. Janë vargje të qeta të mbushura me lutje, të mbushura me përmallim dhe dashuri për njeriun si subjekt qendror në universin e paskajshëm. Janë copëza kujtese që
mblidhen për të krijuar universin poetik të tërësisë njerëzore.
Padyshim edhe këto janë disa “shënime të përafërta” për këtë poezi, e cila shtrihet në meridianët e pafundëm të botës njerëzore.
Bardhyl Zaimi,
shkrimtar
Comments
Post a Comment